Secondary Adv

Pas dekadash mungesë Lebra rishfaqet në Evropë, raportohen raste në Rumani dhe Kroaci

Pas dekadash mungese, sëmundja e Hansenit është raportuar sërish në Evropën Lindore, me autoritetet shëndetësore që theksojnë se rreziku për popullatën është i ulët.

Katër raste në Rumani pas 44 vitesh

Rumania ka konfirmuar rikthimin e lebrës për herë të parë pas vitit 1981. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se një rast është konfirmuar dhe tre të tjerë janë në vlerësim klinik dhe mikrobiologjik. Të gjitha rastet lidhen me punëtore me origjinë aziatike, të punësuara në të njëjtin sallon masazhi në qytetin Cluj-Napoca. Si masë parandaluese, aktiviteti është mbyllur përkohësisht dhe është kryer dezinfektim i plotë i ambienteve.

 

Ministri rumun i Shëndetësisë, Alexandru Rogobete, ka siguruar se sapo nis trajtimi farmakologjik, rreziku i transmetimit ulet ndjeshëm deri në zhdukje. Ai theksoi se lebra kërkon kontakt të zgjatur për t’u transmetuar dhe nuk përhapet përmes kontakteve të rastësishme.

 

Rast i izoluar edhe në Kroaci

Edhe Kroacia ka raportuar një rast të vetëm të lebrës, të parin pas më shumë se tre dekadash. Sipas Institutit Kroat të Shëndetit Publik, pacienti është një punëtor me origjinë nga Nepali, i cili jeton në vend prej dy vitesh. Ai është identifikuar shpejt dhe ka nisur trajtimin, ndërsa kontaktet e afërta janë vendosur nën monitorim mjekësor dhe kanë marrë terapi parandaluese. Autoritetet kroate kanë deklaruar se situata është plotësisht nën kontroll dhe se nuk ka asnjë rrezik për përhapje në komunitet.

 

Çfarë është lebra dhe si transmetohet

Lebra, ose sëmundja e Hansenit, është një infeksion kronik bakterial që prek kryesisht lëkurën dhe nervat periferikë. Simptomat përfshijnë lezione të lëkurës, humbje të ndjeshmërisë dhe dobësi muskulore. Sëmundja transmetohet përmes pikave të frymëmarrjes, por vetëm pas ekspozimit të zgjatur, çka e bën atë shumë pak ngjitëse.

 

Sipas specialistëve, lebra është sot plotësisht e shërueshme me terapi të kombinuar antimikrobike, e cila zgjat nga gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj dhe çon në shërim të plotë.

 

Pse shfaqen raste sot në Evropë

Ekspertët shpjegojnë se rishfaqja e rasteve sporadike lidhet me periudhën shumë të gjatë të inkubacionit të sëmundjes, e cila mund të zgjasë nga disa muaj deri në mbi dhjetë vjet. Kjo e bën të vështirë zbulimin e saj përmes kontrolleve standarde shëndetësore te personat që vijnë nga zona ku lebra është ende endemike.

 

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lebra vijon të jetë endemike në disa rajone të Indisë, Brazilit, Indonezisë, Afrikës Qendrore dhe Azisë Jugore. Lëvizshmëria ndërkombëtare ka sjellë raste të rralla edhe në vende ku sëmundja konsiderohej e zhdukur.

 

Autoritetet: Nuk ka alarm shëndetësor

Autoritetet shëndetësore në Rumani dhe Kroaci kanë garantuar se nuk ekziston rrezik për shëndetin publik. Sistemet e mbikëqyrjes epidemiologjike kanë funksionuar në kohë, pacientët kanë nisur trajtimin dhe kontaktet janë nën kontroll. Fushatat informuese synojnë gjithashtu të shmangin panikun dhe të luftojnë stigmatizimin, duke theksuar se lebra është një sëmundje e shërueshme dhe me ngjitshmëri të ulët.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat